Forumi “Të udhëheqësh nga qëllimi: Financa të Zgjuara, Rritje të Qëndrueshme dhe Vizion Global” i organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në bashkëpunim me LeaderImpact dhe LinkAcross u kthye në një hapësirë reflektimi mbi vlerat mbi të cilat udhëhiqet një biznes sot. Takimi u përshëndet nga dy drejtuesit Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AmCham Albania dhe Daniel Elliot, Drejtor i LeaderImpact të cilët theksuan rëndësinë e forumit për të nxjerrë njohuri praktike se si bizneset mund të zgjerojnë operacionet ndërkombëtare, të zbatojnë praktika të forta financiare dhe të rriten qëndrueshëm duke qëndruar besnik ndaj vlerave të tyre thelbësore.
Në qendër të diskutimeve të Hiro Isogawa, Themelues dhe CEO i firmës kontabël “Two Miles” dhe Scott Miller, Strateg Financiar Kryesor pranë “One Atlanta – Tax Solutions,” qëndroi ideja se çdo biznes është unik dhe kërkon një qasje të personalizuar për të ruajtur veçantitë e veta. Të dy lektorët u përqëndruan në fjalët e tyre në faktin se pavarësisht sfidave në tregjet ndërkombëtare, nuk duhet bërë kompromis me cilësinë apo me thelbin e identitetit të kompanisë. Ky qëndrim u ilustrua me përvoja konkrete të sipërmarrësve që kanë ndërtuar operacione ndërkombëtare duke ruajtur identitetin e brendshëm të kompanisë.
Hiro Isogawa, Themelues dhe CEO i firmës kontabël “Two Miles”, ndau përvoja personale nga ndërtimi i një biznesi ndërkombëtar. Ai theksoi rëndësinë e udhëheqjes me vlera dhe të shkallëzimit të kujdesshëm operacional, duke ofruar këshilla të vlefshme për pjesëmarrësit që synojnë rritje të qëndrueshme dhe me integritet.
Më pas, Scott Miller ndau me pjesëmarrësit elementët kryesorë strategjikë që çdo sipërmarrës duhet të zotërojë nga delegimi i përgjegjësive dhe fuqizimit të punonjësve. Rritja dhe zhvillimi i kompanive nuk mund të ndodhë pa rritjen e vetë njerëzve që i përbëjnë ato. Z. Miller theksoi se një lider i mirë nuk e mban kontrollin për vete, por krijon hapësira që të tjerët të rriten bashkë me kompaninë. Biznesi nuk shihet thjesht si një strukturë ekonomike, por si një komunitet me ndikim real në jetët e njerëzve — ku suksesi matet jo vetëm me bilancet financiare, por edhe me trashëgiminë etike që lë pas.
