• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • AmCham dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bashkë, në një diskutim për çështjet e biznesit

AmCham dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bashkë, në një diskutim për çështjet e biznesit

Blogu, Slaidet
10 December 2025
Gerta

Në qendër të vëmendjes: paqja fiskale, komunikimi me administratën dhe procedurat e rivlerësimit tatimor

Dhoma Amerikane ka ulur në të njëjtën tryezë diskutimi bizneset më të rëndësishme të organizatës me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, z. Ilir Binaj, për të folur mbi çështje konkrete të zbatimit të legjislacionit tatimor e fiskal që ndikojnë aktivitetin e tyre. Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj, e ka konsideruar këtë formë komunikimi mjaft të frytshme, pasi u jep mundësi të dy palëve të përballen me këndvështrimet e tyre dhe të diskutojnë mbi bazën e argumenteve. “Qartësia e të bërit biznes në një sistem rregullator transparent dhe të drejtë është qëllimi kryesor për të cilin punon Dhoma Amerikane”, – u shpreh Presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, në përshëndetjen e tij.

Një projektligj që ka nxitur shumë pyetje në komunitetin e biznesit, ai për Paqen Fiskale, është diskutuar edhe në këtë forum. Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj, ka kërkuar informacion konkret mbi mënyrën e zbatimit të këtij ligji nga administrata tatimore. “Kjo është një ofertë që qeveria i ka bërë bizneseve që nuk duan të kontrollohen, por janë dakord të paguajnë detyrimin që kërkon buxheti i shtetit për mbledhjen e të ardhurave. Ne do të japim të gjitha sqarimet e nevojshme se si do të implementohet paqja fiskale për biznesin, pasi të miratohet ligji”, – u shpreh z. Ilir Binaj, duke iu referuar zbatimit të projektligjit të paqes fiskale, i cili pritet të miratohet nen për nen në seancë plenare këtë javë.

Lidhur me këtë çështje, z. Mullaj ka ritheksuar qëndrimin e qartë të Dhomës Amerikane për nevojën e ligjeve konstruktive dhe transparente, të cilat mbështesin konkurrencën e lirë dhe krijojnë besim tek biznesi.

Gjatë takimit, Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave, znj. Alketa Uruçi, ka paraqitur disa nga çështjet më thelbësore me të cilat përballet biznesi i AmCham.

Një nga çështjet që ndikon drejtpërdrejt marrëdhëniet biznes–administratë mbetet komunikimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (DPT), i cili, sipas ekspertëve të Komitetit të Taksave në AmCham, kërkon përmirësim rrënjësor. Shumë anëtarë të Dhomës kanë konstatuar vonesa ose mungesë përgjigjesh nga DPT ndaj kërkesave të tyre për sqarimin e problematikave që, edhe pse të depozituara prej vitesh, vijojnë të mbeten pa përgjigje. Po ashtu, faqja zyrtare e DPT-së paraqet mangësi, pasi legjislacioni është i publikuar në një formë të papërshtatshme dhe të vështirë për t’u aksesuar. Një çështje tjetër e komunikimit institucional është mungesa e bashkërendimit ndërmjet doganës dhe tatimeve për deklaratat doganore, e cila ndikon drejtpërdrejt në punën e biznesit.

Duke u ndalur në çështje teknike të zbatimit të legjislacionit fiskal, znj. Uruçi kërkoi nga ekspertët e DPT-së të realizojnë një hop cilësor, në mënyrë që jo vetëm të hartohen dhe miratohen ligje në përputhje me direktivat e BE-së, por edhe të sigurohet zbatimi i tyre në përputhje me mënyrën e aplikimit në vendet e BE-së dhe vendimet e Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Shembuj të zbatimit të gabuar të ligjit vërehen sidomos në praktikën e TVSH-së për shitjet nën kosto. Edhe pse dispozitat janë harmonizuar me direktivën e BE-së, praktika e administratës tatimore vijon të jetë e gabuar. Kjo u reflektua edhe në rastet e rivlerësimit të TVSH-së dhe tatim-fitimit për kompanitë e angazhuara në shitjen e energjisë elektrike, ku është pretenduar se ato kanë kryer shitje nën kosto apo nën çmimin e blerjes së energjisë, pavarësisht se ndryshimet e çmimit burojnë nga faktorë të jashtëm që nuk lidhen me tregun shqiptar.

Dhoma Amerikane sugjeroi bashkëpunimin me DPT-në për identifikimin e vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtësisë që lidhen me aplikimin e TVSH-së, me qëllim përkthimin dhe publikimin e tyre në bashkëpunim me ekspertët e DPT-së, në mënyrë që ato të zbatohen në kontrollet tatimore.

Një tjetër çështje e ngritur nga anëtarët e Dhomës lidhet me vonesat në procedurat e zbatimit të marrëveshjeve tatimore, si edhe mungesën e një praktike të qartë dhe të konsoliduar në lidhje me dokumentacionin që duhet depozituar. Kjo problematikë pritet të zgjidhet në fillim të vitit të ri, me vënien në dispozicion nga DPT të sistemit të aplikimeve online, të cilat do të shkurtojnë kohën e procesimit të dokumentacionit.

Takimi shërbeu si një formë diskutimi e hapur dhe konstruktive. Në përfundim, drejtuesit e DPT u shprehën të gatshëm të ruajnë këtë formë komunikimi përmes Dhomës Amerikane në trajtimin e çështjeve apo paqartësive me të cilat përballet biznesi.

You may also like