Dhoma Amerikane në bashkëpunim me betaPlan Coding Bootcamps (partner zyrtar i Coding Dojo USA) kanë mirëpritur në një takim informativ pjesëmarrësit e Balkan Trek, një grup i shquar prej 50 studentësh të masterit dhe doktoraturës nga Shkolla e Biznesit Harvard, Shkolla Harvard Kennedy dhe Shkolla e Drejtësisë Harvard.
Pjesë e takimit kanë qënë dhe anëtarë të Bordit dhe Komiteteve në AmCham të cilët së bashku me drejtuesit e betaPlan Coding Bootcamps kanë prekur shumë aspekte të trendeve ekonomike që po zhvillojnë tregun rajonal. Zhvillimet e vrullshme teknologjike dhe aftësimi i forcave të punës me risitë e teknologjisë së informacionit, ka qënë një nga diskutimet interesante të takimit. Studentët u njohën dhe me sektorët prioritarë, klimën e investimeve dhe mundësitë që ofron ekonomia shqiptare.
Biseda e hapur me studentët e Harvardit, të cilët janë potencialisht dhe liderët globalë të së ardhmes, ishte një mundësi e mirë për të ndarë perspektiva dhe për të diskutuar bashkëpunime të mundshme që mund të kontribuojnë në rritjen dhe integrimin e rajonit.
Balkan Trek është një iniciativë që sjell studentët e Harvardit në Ballkan për të eksploruar peizazhet politike, ekonomike dhe kulturore të rajonit. Gjatë udhëtimit të tyre nëntëditor nëpër Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, delegacioni angazhohet me zyrtarë të lartë qeveritarë, udhëheqës biznesi dhe përfaqësues të OJQ-ve për të fituar njohuri të dorës së parë mbi zhvillimin dhe mundësitë e rajonit.