Konferenca rajonale për ESG në Shkup, e bashkëorganizuar nga zyrat e AmCham Maqedonia Veriut dhe AmCham Serbia në partneritet me AmCham Shqipëri dhe Kosovë, solli në vëmendje nevojën urgjente për të afruar praktikat dhe legjislacionin mbi ESG me vendet e BE-së. Me temën “ESG në Sfondin Rregullator të BE-së, Implikimet për Kompanitë në Ballkanin Perëndimor,” mblodhi së bashku drejtues biznesesh, vendimmarrës dhe përfaqësues të ESG-së për të diskutuar ndërthurjen e rregulloreve, financimit dhe përgjegjësisë korporative. AmCham Albania u përfaqësua nga Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AmCham Albania dhe Dritan Nako, Sekretar i Bordit dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit ESG, i cili mori pjesë në panelin e parë së bashku me përfaqësues të kompanive rajonale dhe AmCham EU.
Konferenca u strukturua në dy sesione kryesore, duke theksuar dy shtyllat themelore për ndërtimin e një ekosistemi të fortë ESG, rregulloret dhe financimi.
Gjatë sesionit të parë, z. Nako ndau përvoja nga rrugëtimi i Shqipërisë në integrimin e parimeve të ESG në praktikat e biznesit si dhe ato me çështjet e enegjisë së gjelbër dhe dekabornizimit.
Diskutimet theksuan rëndësinë e politikave lehtësuese që eliminojnë pengesat për tranzicionin e gjelbër, siç është përmirësimi i aksesit në burime alternative energjie dhe teknologji të qëndrueshme. Panelistët ranë dakord se ndërsa kornizat rregullatore janë thelbësore për nxitjen e dekarbonizimit, ato duhet të jenë të balancuara, veçanërisht në tregjet në zhvillim për të mos influencuar negativisht konkurrueshmërinë.
Folësit nënvizuan nevojën urgjente për mbështetje më të fortë institucionale dhe financiare në të gjithë rajonin, për të ndihmuar bizneset të përputhen me kërkesat gjithnjë në rritje të BE-së për qëndrueshmëri. Rregulloret e qëndrueshme dhe të parashikueshme u identifikuan si çelësi për të ndihmuar kompanitë të planifikojnë dhe të investojnë në transformimin afatgjatë ESG.
Gjatë konferencës u fol edhe për përgjegjësinë që ka biznesi duke investuar në ndërtimin e kapaciteteve, zhvillimin e praktikave ESG dhe jo vetëm si një kërkesë për përputhshmëri, por si një prioritet strategjik.
Konferenca ESG në Shkup shërbeu si një platformë thelbësore për të harmonizuar përpjekjet rajonale me objektivat më të gjera evropiane, duke riafirmuar se rruga drejt një të ardhmeje të qëndrueshme ndërtohet përmes bashkëpunimit, qartësisë dhe përkushtimit.