Dhoma Amerikane organizoi në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve një trajnim informues mbi deklaratat e reja tatimore për vitin 2025, një aktivitet që tërhoqi interes të lartë nga komuniteti i biznesit dhe anëtarët e saj.
”Pjesëmarrja e gjerë në këtë trajnim konfirmoi edhe një herë rëndësinë që ka për bizneset informimi i vazhdueshëm mbi ndryshimet ligjore dhe zhvillimet në sistemin fiskal. Për AmCham, mbajtja e anëtarëve të përditësuar me këto ndryshime mbetet një prioritet, duke pasur parasysh ndikimin që politikat fiskale kanë në aktivitetin e përditshëm të kompanive”, tha gjatë përshëndetjes Drejtori Ekzekutiv i AmCham, Neritan Mullaj.
Në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm luan bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe konstruktiv mes AmCham dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Rezana Celmeta, Drejtore e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, prezantoi gjatë trajnimit rregullat e reja, mënyrën e plotësimit të deklaratave tatimore dhe adresoi çështje praktike që lidhen me zbatimin e tyre. Trajnimi u mundësoi anëtarëve të Dhomës detaje teknike mbi ndryshimet më të fundit që lidhen me procesin e deklarimeve tatimore për vitin 2025, me fokus të veçantë te Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave. Deklarimi i të ardhurave konsiderohet një instrument i rëndësishëm për transparencën fiskale dhe administrimin e të ardhurave personale, duke përfshirë kategori të ndryshme të ardhurash që individët mund të realizojnë gjatë vitit, si pagat, të ardhurat nga qiratë, dividentët apo aktivitetet e tjera ekonomike.
Gjatë takimit, Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave, Alketa Uruçi, solli në vëmendje disa nga çështjet me të cilat janë përballur bizneset anëtare gjatë procesit të deklarimit të të ardhurave dhe plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, duke theksuar nevojën për më shumë qartësi dhe informacion të detajuar për biznesin lidhur me kërkesat dhe procedurat e këtij procesi.
Trajnime të tilla synojnë t’i ndihmojnë bizneset të kuptojnë më qartë ndryshimet e fundit dhe mënyrën se si ato zbatohen në praktikë. Përmes informacionit konkret dhe shembujve praktikë, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më mirë me procesin e deklarimeve dhe kërkesat e reja që lidhen me to. Aktiviteti u zhvillua në një format interaktiv, ku pjesëmarrësit drejtuan pyetje konkrete dhe diskutuan drejtpërdrejt me ekspertët e administratës tatimore mbi sfidat që hasin në përditshmërinë e tyre gjatë plotësimit të deklaratave tatimore.














