• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • IFC dhe Dhoma Amerikane organizojnë modulin e dytë të programit të trajnimit MoveUp

IFC dhe Dhoma Amerikane organizojnë modulin e dytë të programit të trajnimit MoveUp

Blogu, Slaidet
13 February 2026
Gerta

Menaxhimi i Magazinës, një hap drejt optimizimit dhe konkurrueshmërisë

IFC dhe Dhoma Amerikane në Shqipëri kanë organizuar modulin e dytë të trajnimit Move Up, me temën menaxhimin e magazinës. Qëllimi i programit të trajnimit i cili do të ketë gjashtë module është të forcojë kapacitetet e komunitetit të biznesit, përmes zhvillimit të programeve të trajnimit që do ti ndihmojnë ata të përballen me kriteret e tregut të BE-së duke rritur konkurrueshmërinë e tyre në këtë treg.

Ky trajnim synoi t’u ofrojë pjesëmarrësve njohuritë dhe aftësitë thelbësore mbi strategjitë dhe praktikat bashkëkohore të menaxhimit të magazinës, me qëllim optimizimin e operacioneve, rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e saktësisë së inventarit. Në një mjedis biznesi gjithnjë e më konkurrues, menaxhimi efektiv i zinxhirit të furnizimit dhe i proceseve llogjistike përbën një faktor kyç për performancën dhe qëndrueshmërinë e kompanive.

Gjatë sesioneve të zhvilluara, trajnerja Adriana Palasan i orientoi pjesëmarrësit drejt një qasje praktike mbi mënyrat e menaxhimit të magazinës. Diskutimet u fokusuan në dizenjimin praktik dhe funksional të hapsirave magazinuese në mënyrë që të ndihmojë në organizimin e punës. Trajnimi ka ndjekur hap pas hapi proceset e punës në magazinë duke dhënë informacion konkret mbi mënyrën se si pranohen produktet, sistemimi në magazinë e deri në procesin e ruajtjes dhe të përgatitjes së porosive dhe daljes së produktit nga magazina.  

Pjesë e rëndësishme e funksionalitetit të proceseve të magazinimit është dhe integrimi i teknologjisë dhe aplikimeve të IT-së në menaxhimin e magazinës, si element kyç për rritjen e saktësisë, transparencës dhe gjurmueshmërisë së inventarit.

Moduli i dytë ndihmoi për të konsoliduar angazhimin e IFC dhe Dhomës Amerikane për të mbështetur bizneset shqiptare në adoptimin e standardeve moderne të menaxhimit, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat.

You may also like