Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë, ka nisur zbatimin e një programi trajnimesh me qëllim përmirësimin e efiçensës operacionale në sektorin e logjistikës dhe menaxhimit të zinxhirit të furnizimit, si dhe përafrimin e praktikave të biznesit me standardet e Bashkimit Evropian.
Më datë 12 janar u organizua moduli i parë i programit, me temë “Parimet e Menaxhimit të Zinxhirit të Furnizimit”, i cili u zhvillua përgjatë katër ditëve dhe u ndoq nga rreth 100 pjesëmarrës, përfaqësues të bizneseve anëtare të Dhomës Amerikane, si dhe biznese të tjera që operojnë në tregun vendas.
Programi zbatohet nga Qendra e Menaxhimit të Zinxhirit të Furnizimit (Supply Chain Management Center), një institucion lider në Rumani, me mbi 20 vite përvojë në fushën e trajnimeve profesionale në logjistikë dhe menaxhim të zinxhirit të furnizimit. Modulet janë konceptuar për të rritur aftësitë operacionale të pjesëmarrësve, përmes zhvillimit të marrëdhënieve strategjike me klientët dhe rritjes së fleksibilitetit për t’u përshtatur me një mjedis logjistik gjithnjë e më dinamik dhe konkurrues.
Gjatë modulit të parë, trajnerja Andrea Mureșeanu trajtoi tema kyçe që lidhen me logjistikën dhe menaxhimin e zinxhirit të furnizimit, të cilat u konkretizuan përmes rasteve studimore praktike nga Universiteti i Harvardit.
Trajnimet janë dizajnuar për personel operativ dhe menaxherial të kompanive që veprojnë në sektorin e logjistikës dhe zinxhirit të furnizimit, duke kombinuar njohuritë teorike me aplikimin praktik. Një komponent i rëndësishëm i programit është gjithashtu informimi mbi kuadrin ligjor dhe rregullator që kompanitë shqiptare do të duhet të zbatojnë në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pjesëmarrësit e kanë vlerësuar modulin si mjaft të dobishëm dhe praktik, duke u angazhuar aktivisht përmes sesioneve të pyetjeve dhe përgjigjeve me trajneren, si dhe diskutimeve që lidhen drejtpërdrejt me sfidat e përditshme të punës.
Programi i trajnimeve do të vijojë edhe në muajt në vijim me zhvillimin e pesë moduleve të tjera, të cilat synojnë forcimin e aftësive drejtuese, digjitale dhe operacionale, me qëllim rritjen e eficiencës, konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë në sektorin e logjistikës dhe menaxhimit të zinxhirit të furnizimit.













