Dhoma Amerikane me iniciativën e Komitetit të Shëndetësisë ka organizuar një tryezë pune me Ministrinë e Shëndetësisë për të diskutuar disa nga çështjet themelore me të cilat biznesi përballet në këtë sektor. Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, është bërë pjesë e një diskutimi konstruktiv që ka targetuar kuadrin ligjor dhe funksionimin e sistemeve në sektorin e shëndetësisë, me impakt jo vetëm në veprimtarinë e biznesit, por edhe në shëndetin e popullatës.
Është pikërisht funksioni jetësor që kanë çështje të tilla si lista e rimbursueshme e barnave, metodologjia e përcaktimit të çmimit, rritja e nivelit të buxhetit për sektorin e shëndetësisë, që e bën dialogun me Ministrinë e Shëndetësisë si një formë e nevojshme për të gjetur rrugët dhe mënyrat më të mira të hartimit dhe zbatimit të kuadrit rregullator.
“Komiteti i Shëndetësisë prej dy vjetësh ka krijuar një urë të qartë komunikimi me Ministrinë e Shëndetësisë për të zhvilluar një dialog konstruktiv mbi çështje që ne i kemi zhvilluar në një Position Paper dhe jemi duke i ndjekur dhe për këtë besojmë se dialogu është mjeti më efikas për t’i zgjidhur” – tha gjatë takimit Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj.
Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, ka shpjeguar se rritja e fokusit për sektorin e shëndetësisë jo thjesht ka reflektuar me një rritje të buxhetit për këtë sektor, por edhe me një strategji të qartë që tenton t’i hapë rrugën mjekimeve dhe diagnostikimeve inovative dhe një shërbimi shëndetësor adekuat për popullatën. Ka një vëmendje të shtuar për kujdesin shëndetësor onkologjik për shkak edhe të sensitivitetit të sëmundjeve që trajton ky shërbim dhe që po punohet për të vendosur një standard të lartë klinik. Për këtë arsye këtij sektori i janë caktuar rreth 15 milionë euro në buxhet. Ngritja e Institutit Kombëtar të Tumoreve do t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi dhe do të koordinojë politikat dhe praktikat më të mira me vende të BE-së dhe një institucion homolog në Milano. Vëmendje do t’i kushtohet edhe digjitalizimit të të gjithë procesit për ta sjellë edhe këtë sektor në nivelin e nevojshëm të zhvillimit teknologjik, që do të lehtësojë ndërveprimin mes institucioneve të shëndetësisë, por edhe do të përmirësojë vendimmarrjet.
Rovena Dhroso, Anëtare e Bordit e Dhomës Amerikane, ka theksuar nevojën për ekspertizë në vendimmarrje dhe rolin e rëndësishëm që mund të luajë partneriteti administratë–biznes, sidomos në momentin kur merren vendime dhe ndërtohet kuadri rregullator.
Kryetarja e Komitetit, Anna Savinkina, dhe Nënkryetarja, Genta Peshkatari, kanë prezantuar çështjet themelore mbi të cilat po punon ky komitet dhe që prekin objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë.
Përditësimi i modelit të hartimit të listës së rimbursueshme për t’i dhënë mundësi listës të përfshijë edhe barna inovative, si dhe rritja e buxhetit të shëndetësisë nga 2.8% në 6%, aq sa edhe vendet e tjera të Rajonit, janë dy çështje të trajtuara nga Kryetarja Anna Savinkina.
Çështja e metodologjisë së përcaktimit të çmimeve duke marrë për referencë jo çmimin minimal, por çmimin mesatar, ka qenë një tjetër çështje që shqetëson kompanitë e farmaceutikës. Znj. Peshkatari e cilësoi si të nevojshme që kuadri rregullator të ndërrojë edhe referencat e vendeve mbi të cilat referohet çmimi, duke u përqendruar në vende si Sllovenia dhe Norvegjia dhe jo Maqedonia dhe Serbia. Ky proces është vital për aktivitetin e kompanive farmaceutike, pasi ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e biznesit të tyre, por në të njëjtën kohë edhe në shërbimin e popullatës. Përcaktimi me një metodologji të drejtë dhe transparente të çmimit do të ofronte në treg brande të njohura të kompanive farmaceutike, të cilat mund të sjellin barna dhe terapi inovative dhe jo vetëm për sektorin e onkologjikut.
Anëtarët e Komitetit të Shëndetësisë gjatë takimit kanë ngritur edhe çështje të afateve kohore në përcaktimin e çmimeve, si edhe investimin në kapitale njerëzore që janë kaq të nevojshme në sistemin e shëndetësisë. Zbatimi i sistemeve digjitale të informacionit dhe përditësimi i tyre ka qenë një tjetër çështje e ngritur nga anëtarët e këtij Komiteti.
Nga takimi u ra dakord që ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe përfaqësues të Komitetit të Shëndetësisë do ta vazhdojnë diskutimin në nivel ekspertësh për të detajuar çështje teknike që kanë nevojë për konsultim dhe që orientojnë ndryshime të nevojshme në kuadrin rregullator dhe ligjor.




