• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë: Komuniteti i AmCham zgjedh drejtuesit e rinj në Bord

Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë: Komuniteti i AmCham zgjedh drejtuesit e rinj në Bord

Blogu, Lajme, Slaidet
6 November 2025
Gerta

Dhoma Amerikane ka organizuar Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë në vitin jubile të 25 vjetorit të saj. Fillesat me 40 anëtarë dhe zgjedhjet e Bordit të parë të drejtuesve shënuan fillimin e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm që sot celebron një komunitet prej 276anëtarësh dhe një prezencë të lartë të kompanive amerikane.

Asambleja e Përgjithshme është momenti i raportimit për punën që stafi administativ bën për të implementuar politikat që Bordi Drejtues ndërmerr për të zhvilluar tre shtyllat themelore të shërbimit ndaj anëtarëve – avokimin, trajnimin dhe network-un. Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane Neritan Mullaj, ka raportuar përpara anëtarëve për strukturën e anëtarësisë, veprimtarinë financiare, proceset lobuese dhe zhvillimet në strukturën organizative të organizatës.

“Viti 2025 ka qenë veçanërisht dinamik për Komitetet dhe ekspertët e Dhomës, të cilët janë angazhuar në çështje konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt klimën e biznesit në vend, me fokus të veçantë në mbështetjen dhe fuqizimin e bizneseve amerikane” – u shpreh z. Mullaj. Në vëmendjen e anëtarëve të Dhomës dhe të ftuarve në këtë takim, z. Mullaj ka sjellë dy çështje lobuese të rëndësishme në adresë të mbështetjes së investimeve amerikane. Kërkesa për tarifat e vendosura për lejen e zhvillimit, sidomos ato që preknin projektet e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe faturimi i furnizimit të shërbimeve drejt bizneseve të SHBA-së pa TVSH, janë dy çështje lobuese për të cilat mbështesin në mënyrë të veçantë veprimtarinë e bizneseve amerikane.

Por ajo që pati një rëndësi të vecantë në lëvizjet lobuese të AmCham ishte iniciativa për t’i propozuar qeverisë heqjen e tarifave doganore për produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne besojmë se një qasje e tillë do të krijonte kushte më të favorshme për tregtinë ndërkombëtare dhe do të afirmonte Shqipërinë si një partner ekonomik strategjik i SHBA-së në rajon.” u shpreh Drejtori Ekzekutiv, Neritan Mullaj.

Qasjen e Dhomës Amerikane për të promovuar partneritetin me Amerikën e ka theksuar në fjalën e tij edhe Presidenti Grant Van Cleve i cili ka cilësuar forcën e organizatës për të patur një rol në zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike dhe për të ndikuar qeverinë në forcimin e marrëdhënieve me Amerikën si partneri strategjik dhe mbështetës në rrugën e Shqipërisë drejt BE dhe fuqizimit ekonomik.  “Amerika ka një rol qëndror në zhvillimet gjeopolitike në botë dhe shqiptarët si kombi më pro amerikan mund të mbështetet tek kjo miqësi dhe AmCham mund të marrë një rol në fuqizimin e kësaj marrëdhënie”- u shpreh z. Grant Van Cleve.

Komunitetin e Dhomës Amerikane e ka përshëndetur edhe Zv. Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj e cila ka vlerësuar bashkëpunimin e AmCham me Bankën e Shqipërisë në tema të rëndësishme si Open Banking dhe promovimi i informacionit tek bizneset për hyrjen në SEPA.  Znj. Ahmetaj ka theksuar rëndësinë e madhe që del përpara institucioneve financiare dhe organizatave të biznesit për të përdorur këtë momentum të inovacionit, fuqizimit të njohurive tek forcat e punës dhe zhvillimeve teknologjike në shërbim të zhvillimit ekonomik  të vendit.

Cilët janë drejtuesit e rinj në AmCham,

Zgjedhjet në AmCham janë një shprehe e vullnetit të anëtarëve për të zgjedhur liderët e rinj, të cilët do të drejtojnë Dhomën me një mandat dy vjeçar. Gjashtë  kandidatë kanë konkurruar për katër pozicionet vakante, të Presidentit, Sekretarit dhe të dy Anëtarëve të Bordit. Të gjithë kandidatët patën mundësi të prezantohen përpara anëtarëve të AmCham, dhe të shpjegojnë vizionin e tyre për drejtimin e organizatës dhe elementët më të fortë të formimit të tyre.

Në përfundim të votimit, anëtarët i dhanë një mandat të dytë Presidentit të AmCham Albania, z. Grant Van Cleve nga Prodigy, dhe Sekretarit të Bordit, z. Dritan Nako nga Titan Albania.

Gjithashtu, ata zgjodhën si Anëtarë Bordi z. Pëllumb Kallaba nga CWP Europe (Eralb Invest 2 Sh.P.K.) dhe znj. Rovena Dhroso nga Novartis Pharma Services Inc.

President

Grant Van Cleve, Prodigy shpk

Sekretar 

Dritan Nako, Titan Albania

Anëtarë të Bordit

Pëllumb Kallaba, CWP Europe (Eralb Invest 2 Sh.P.K.)

Rovena Dhroso, Novartis Pharma Services Inc

You may also like