“Komiteti i Taksave dhe Doganave pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë ka organizuar një Forum Biznesi me zv. Ministren Vasilika Vjero dhe ekspertë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të diskutuar në detaje çështjet që do të afektojnë biznesin gjatë zbatimit të projektligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke këmbëngulur tek barazia ndërmjet tatimpaguesve që duhet të sjellë ligji në të gjithë elementët e tij”.
Prej kohësh Dhoma Amerikane, nëpërmjet Axhendës së Investimeve rekomandon që qeveria të ndërmarrë iniciativa të cilat synojnë implementimin e një sistemi tatimor modern për të rritur konkurrueshmërinë dhe tërhequr investimet, duke krijuar praktika tatimore dhe fiskale efektive të cilat stimulojne rritjen e biznesit dhe nxitjen e ekonomisë formale.
Projektligji për tatimin mbi të ardhurat ka patur vëmendjen e Komitetit të Taksave dhe Doganave që në momentet e para të publikimit të tij, edhe pse procesi i konsultimit publik nuk respektoi fazat e nevojshme për një ligj kaq të rëndësishëm për biznesin. Komuniteti i biznesit mirëpret hartimin e një ligji të ri për tatimin mbi të ardhurat duke vlerësuar punën e bërë nga Ministria e Financave. Paqartësitë dhe shqetësimet që evidentoheshin në projektligj u bënë tema e diskutimit me Zv. Ministren e Financave dhe Ekonomisë, znj. Vasilika Vjero, Drejtorin e Përgjithshëm të Politikave Makroekonomike dhe Cështjeve Fiskale z. Nikolla Lera dhe ekspertë të tjerë fiskalë të kësaj Ministrie. Takimi filloi me një prezantim të përgjithshëm mbi ndryshimet që ka sjellë draft ligji nga znj. Vjero e cila u shpreh se ato synojnë të sjellin një qasje të re të tatimit mbi të ardhurat për individët dhe biznesin dhe të adresojnë risitë e reja të zhvillimit të biznesit.
Mes ndryshimeve më themelore që ka sjellë draft ligji, znj. Vjero ka përmendur tatimin e të ardhurave për dy kategori: individëve (qofshin ata të punësuar apo të vetpunësuar) dhe korporatave. Të ardhurat personale janë konceptuar në tre grupime të mëdha si të ardhura nga punësimi, të ardhura nga biznesi dhe të ardhura nga kapitali pasiv. Të ardhurat nga punësimi tatohen sipas skemës aktuale progresive të tatimit me 0 %, 13 % dhe 23 % ndërkohë që parashikohet që kategoria me të ardhura nga punësimi deri në 50 mijë lekë të mos paguajë tatim (duke filluar nga 1 janar 2023). Të ardhurat nga biznesi tatohen me 15 % mbi fitimin neto. Ndërsa, të ardhurat nga kapitali pasiv dhe të ardhurat e tjera taksohen me normën 15 %, me përjashtim të dividentit 8 %.
Iniciativat lehtësuese të ndërmarra nga qeveria në lidhje me uljen e normës tatimore për disa sektore të veçantë si prodhimi i software, agroturizmi dhe personat me qarkullim nën 14 milion Lekë në vit do të vijojnë të aplikohen deri në vitin 2029.
Ndryshe nga sa ishte parashikuar, projektligji për tatimin mbi të ardhurat do të hyjë në fuqi në 1 janar 2024. Kjo do t’i japë mundësi administratës që të hartojë aktet nënligjore që do të shoqërojnë ligjin, të bëjë ndryshimet e duhura në sistemin informatik tatimor për hartimin e deklaratave tatimore sipas kërkesave të ligjit të ri por edhe biznesit që ta njohë më mirë atë.
Drejtori Ekzekutiv z.Neritan Mullaj theksoi rëndësinë e konsultimit të një ligji kaq të rëndësishëm dhe punën që ka bërë Dhoma Amerikane përmes ekspertëve, për të sjellë komente të argumentuara që tentojnë të zgjidhin shumë problematika që mund të shfaqë zbatimi i projektligjit siç është hartuar nga qeveria.
Dhoma Amerikane përmes Kryetares së Komitetit të Taksave dhe Doganave Znj. Alketa Uruçi prezantoi komentet kryesore për projektligjin duke vlerësuar shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit në 1 janar 2024, si një nga kërkesat themelore të anëtarëve të Dhomës. Hapësira prej një viti e lënë në dispozicion të zbatimit të ligjit duhet të shfrytëzohet për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët në favor të përmirësimit te projektligjit, hartimit të udhëzimeve dhe akteve nënligjore që i japin më shumë qartësi ligjit dhe nuk lënë shteg për interpretime.
Parashikimet e reja ligjore si ajo per mbartjen e humbjeve per 5 vjet, aplikimi i normave te amortizimit me metoden lineare per te gjitha aktivet u pershendeten nga anetaret.
Gjatë takimit ekspertët e AmCham kanë kërkuar që projektligji te rishikohet me qëllim përfshirjen e masave që synojnë uljen e informalitetit.
Sipas njoftimit të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, shqyrtimi i projektligjit është shtyrë për në janar të vitit të ardhshëm me qëllim diskutimin më të gjerë të shqetësimeve të ngritura nga komuniteti i biznesit. Duke patur parasysh kohën e shkurtër deri në datën e parashikuar të shqyrtimit, Dhoma Amerikane është e angazhuar që të vazhdojë diskutimin më të gjithë aktorët me qëllim përmirësimin e projektligjit.