Referencat, proçedurat doganore, sistemi Asycuda në qendër të vëmendjes, Dhoma Amerikane flet me doganat për problematikat e biznesit

<strong><em>Referencat, pro</em></strong>ç<strong><em>edurat doganore, sistemi Asycuda në qendër të vëmendjes, Dhoma Amerikane flet me doganat për problematikat e biznesit</em></strong>

Tradita e takimit me Drejtorinë e Doganave ka vazhduar në 2022 dhe Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania z.Neritan Mullaj ka mirëpritur dialogun konstant që ka me administratën e doganave. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Z.Gazheli  dhe stafi i tij  teknik, kanë marrë pjesë në takimin që u mbajt me prezencën fizike edhe të anëtarëve pas dy vjetëve të organizimit online për shkak të pandemisë. Takimi ka shërbyer për të diskutuar në mënyrë të hapur jo vetëm çështjet e trajtuara nga Komiteti i Taksave por dhe problematikat që bizneset anëtare të Dhomës hasin në zhvillimin e përditshëm të aktivitetit të tyre.

Në takim janë diskutuar çështje të vjetra por sërish koherente të referencave dhe shërbimeve online, të cilat vazhdojnë të shqetësojnë bizneset anëtare në Dhomën Amerikane.

“Vura re se një nga çështjet kryesore për të cilat do flitet vazhdon të jetë çmimi i referencave dhe kjo është një çështje e cila përfundimisht do një zgjidhje. Vizioni jonë është ndryshe, vizioni jonë është që çmimet e referencave të eliminohen krejtësisht sepse janë metoda të vjetra dhe të prapambetura” – tha gjatë takimit Presidenti i AmCham Albania z. Enio Jaço.

AmCham i rekomandon administratës doganore të vlerësojë dhe përditësojë më shpesh të dhënat e çmimeve të referencës në mënyrë që kjo metodë të jetë realisht e aplikueshme. Për Dhomën Amerikane është e rëndësishme që importet e mallrave nga BE dhe Amerika të trajtohen me metodën e parë të cmimit të transaksionit, sepse këto janë vende me të cilat ekziston mundësia për të kryer çdo verifikim të nevojshëm gjatë proçedurës së zhdoganimit. Znj.Uruçi gjatë takimit e vendosi theksin në mënyrën se si doganierët e gjejnë më të lehtë të zbatojnë çmimin e referencës madje edhe për rastet kur importi ndodh me vende ku transaksionet tregtare janë të sigurta dhe të kontrollueshme. Janë pesë metoda të vlerësimit përpara se të përdoret metoda e gjashtë e çmimit të referencës. “Vihet re se në shumicën e rasteve ka një kalim automatik nga metoda e parë: “vlera e transaksionit” tek metoda e 6-të: “çmimet e referencës” duke anashkaluar metodat e tjera. Kjo vetëm për faktin se kjo metodë është më komode dhe e lehtë për tu përdorur nga punonjësit e administratës doganore” – u shpreh znj.Uruçi, Kryetare e Komitetit të Taksave dhe Doganave

Znj. Alketa Uruçi, falenderoi stafin e doganave që ndër vite kanë qenë më bashkëpunues, më të dixhitalizuar në krahasim me administratat e tjera si dhe më inovative në ofrimin e shërbimeve. Znj Uruçi në vijim ka folur mbi disa cështje që vazhdojnë të shqetësojnë anëtarët e Dhomës, duke i kthyer në pjesë të diskutimit të hapur me Drejtorinë e Doganave . Unifikimi i praktikave të zhdoganimeve në të gjitha pikat doganore, sistemet informatike që lehtësojnë punën e biznesit dhe të doganës dhe shkurtojnë kohën e zhdoganimit, fiskalizimit dhe transaksionet triangolore, si dhe përditësimi i bizneseve me ndryshimet në legjislacionin doganor, kanë qenë pjesë e fjalës së zj. Uruci.

Në kuadrin e fiskalizimimit dhe përfshirjes së të gjitha llojeve të transaksionit në këtë sistem, AmCham ka sugjeruar që ti jepet më shumë rëndësi transaksioneve triangolare, si një metodë efikase për luftën kundër evazionit. Duhet më shumë bashkëpunim ndërmjet tatimeve dhe doganave për të kuptuar transaksionet triangulare dhe implementimin e tyre të saktë në sistemin e ri të fiskalizimit.

Drejtori i Doganave z. Genti Gazheli, në komunikimin e tij me anëtarët e AmCham ka informuar se në mënyrë të vazhdueshme Doganat kanë zhvilluar forume të diskutimeve të hapura për të zgjidhur problematikat e shfaqura nëpërmjet rritjes së performancës si dhe kanë rritur numrin e shërbimeve dhe aplikimeve online për të përshpejtuar proçedurat doganore.

Për të matur perceptimin e biznesit për cilësinë e shërbimeve, në 2021, Doganat kanë organizuar një pyetësor me komunitetetin e biznesit i cili ka reflektuar mendimin e tyre mbi marrëdhëniet me doganat, cilësinë e shërbimit, uljen dhe reduktimin e kostove dhe burokracive. Z. Gazheli u shpreh krenar që një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të biznesit i është përgjigjur pozitivisht pyetësorit.  

Në përgjigje të çështjeve të parashtruara nga Dhoma Amerikane, ekspertët e Drejtorisë së Doganave kanë dhënë sqarime mbi sistemin Asycuda dhe vonesave që ndodhin për shkak të përdorimit të pajisjeve të vjetra, shkaqet e aplikimit të referencave dhe proçedurave të tjera doganore.

Z.Gazheli i ka inkurajuar bizneset anëtare të AmCham të cilët kanë marrëdhënie pune me doganat të aplikojnë për statusin AEO si nje lehtesi e re për të ulur burokracinë, vonesat dhe koston e proçeseve në dogana. Ky status i cili të siguron më pak kontrolle doganore dhe fizike, kalon nëpërmjet një proçesi vetingu dhe validimi nga CEFTA dhe BE në momentin e aplikimit.

Gjatë takimit u përmend gjithashtu fakti se zhvillimet e fundit të ndodhura në kuadër të aksesit në llogarinë e biznesit në sistemin doganor konsiderohet një arritje e madhe dhe fryt i forumeve vjetore të zhvilluara pasi kjo çështje ka qenë e ngritur nga AmCham në anëtarët në forumet e fundit të organizuar nga Dhoma.

Fjala e Presidentit të AmCham në Forumin e Dhomës Amerikane me Doganat

Doganat institucion bashkëpunues, por ende ka punë për të bërë me praktikat e vjetëruara

Përshëndetje të gjithëve,

Është kënaqësi që prej disa vitesh vijojmë të diskutojmë çështjet me Doganat. Para se të vija këtu po lexoja një raport të detajuar në lidhje me marrëdhëniet dhe çështjet që ne kemi me Doganat, dhe kisha dy mendime të ndryshme.

E para, dua të theksoj që është shumë e qartë ndër këto vite që ne kemi pasur një bashkëpunim gjithmonë e më të mirë me institucionin e doganave. Një bashkëpunim i cili ka në thelb – një komunikim profesional dhe mendje të hapur për të zgjidhur disa nga çështjet tona më të rëndësishme. Por gjithashtu flet edhe mbi vullnetin që drejtuesi dhe institucioni ka për të zgjidhur çështje të anëtarëve tanë.

Në të njëjtën kohë, kam kënaqësi që kam vënë re që doganat sot bashkëpunojnë me disa nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare si Banka Botërore dhe kanë ndërmarrë reforma ë rëndësishme në përmirësimin e sistemit të tyre. Mendoj që këto reforma do të japin rezultatet e tyre në vijim, ne jemi mbështetës dhe urojmë sukses sa më të madh sepse do të jetë në dobi të anëtarëve tanë.

Me këtë rast, dua të them se koordinimi me institucionin e doganave për ne është shumë i rëndësishëm.

Por nga ana tjetër, kisha dhe një mendim ndryshe,

Disa ditë më përpara, nga komunikimet që kisha me gazetarët dikush më tha: ‘zoti Jaço jeni bërë pak i mërzitshëm, sepse janë pak a shumë të njëjtat gjëra që keni diskutuar edhe dy vite më parë’. Dhe kur po lexoja raportin vura re se një nga çështjet kryesore për të cilat do flitet pak më vonë vazhdon të jetë çmimi i referencave dhe kjo është një çështje e cila përfundimisht do një zgjidhje.

Vizioni jonë është ndryshe, vizioni jonë është që çmimet e referencave të eliminohen krejtësisht sepse janë metoda të vjetra dhe të prapambetura.

Vizioni i AmCham në lidhje me tregtinë parashikon shkëmbimin e mallrave në mënyrë sa më të lehtë sa më  sigurtë – dhe doganat janë institucioni kryesor që e bëjnë këtë të mundshëm.

Unë e kam shumë të lehtë ta konstatoj por duhet një punë shumë e madhe nga donagat që ta sigurojnë këtë.

Vizioni jonë është që të kemi eksporte më të fuqishme shqiptare. Disa nga ju këtu keni produke vërtetë me cilësi që mund të konkurrojnë në tregje globale – oportuniteti i të cilave është bërë akoma më i madh në ditët e sotme në kushtet e presioneve globale, luftës në Ukrainë etj. Edhe njëherë institucioni i doganave luan një rol shumë të rëndësishëm këtu.

Por gjithashtu edhe tregtia elektronike është në qendër të vizionit tonë ashtu si edhe procedurat e lehtësuara elektronike – jam i bindur që janë gjithashtu edhe në vizionin e doganave.

Ju uroj një sesion sa më të suksesshëm!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *