Ekspertët e AmCham diskutojnë me CEO e Coding Dojo mbi “Riaftësimi dhe trajnimi i forcës punëtore për një realitet të ri postpandemik”

Ekspertët e AmCham diskutojnë me CEO e Coding Dojo mbi "Riaftësimi dhe trajnimi i forcës punëtore për një realitet të ri postpandemik"

Dhoma Amerikanë ka ulur në të njëjtin panel ekspertë të saj dhe z.Richard Wang, CEO i Akademisë globale në fushën e edukimit teknologjik në Silicon Valley, Coding Dojo në një diskutim të hapur mbi rikualifikimin e forcës punëtore mbi trendet e reja dixhitale. Takimi ka patur në fokus një analizë të fakteve mbi zhvillimet globale që kanë impakt dhe mbi ekonominë e vëndit tonë dhe se si të gjithë aktorët sot në treg duhet të investohen në trajnimin e fuqisë punëtore me teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, për t’ju përshtatur një tregu pune që po ndryshon rrënjësisht pas pandemisë.

Dhoma Amerikane në përpjekjet e saj për të sjellë një ndryshim në klimën e biznesit, e ka konsideruar trajnimin e forcës punëtore me zhvillimet e reja dixhitale një prioritet dhe ka përfshirë rekomandime specifike për qeverinë. Këto rekomandime janë bërë pjesë e axhendës edhe e Komitetit të Biznesit Dixhital, pjesë e programit të së cilit ishte edhe ky event.

“Një analizë e fakteve na ka treguar se ne nuk kemi një ambjent ekonomik të dixhitalizuar, dhe nuk kemi një forcë punëtore të aftësuar për këtë proçes. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk e kanë këtë talent, thjesht duhet punuar për ta orientuar dhe trajnuar” – u shpreh gjatë takimit z. Enio Jaço President i AmCham Albania duke kujtuar se në garën rajonale të koduesve, Shqipëria mbetet e fundit me 2 kodues për 1000 banorë ndërkohë që Serbia ka 9 kodues për 1000 banorë.

“Një nga rekomandimet që ka bërë Dhoma Amerikane në Axhendën e saj të Investimeve  është zhvillimi i 100 mijë koduesve” – tha gjatë prezantimit të panelistëve z. Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AmCham. Kjo temë diskutimi është trajtuar nga panelistët të cilët kanë sjellë eksperiencën dhe opinionin e tyre se si mund të aftësohet forca punëtore me risitë mbi teknologjinë e informacionit.

Richard Wang CEO i kompanisë globale të teknologjisë arsimore Coding Dojo që operon në 32 vende të botës, ka folur për mënyrën se si kompania e tij ofron platforma dhe ekspertizë të mirëfilltë në trajnimin e forcës punëtore me trendet e fundit të teknologjisë së informacionit. Aftësia që duhet të kenë këta punonjës në përvetësimin e njohurive nuk kërkon domosdoshmërisht aftësi matematikore dhe inxhinjerike, por llogjikë dhe përkushtim.

Duke shpjeguar trendet e zhvillimit dhe riaftësimin e forcës së punës, z.Wang ka ndaluar në metamorfozën që po pëson tregu i punës dhe profesionet në realitetin e ri postpandemik. Shtresa e punonjësve me aftësi të mesme po zhduket si rrjedhojë e automatizimit të proçeseve të punës, duke krijuar një hendek të madh mes forcës punëtore me aftësi të ulta dhe asaj me aftësi të larta. Sfida është që të orientojmë forcën punëtore duke e pajisur me njohuri dhe aftësi që ti përshtaten strukturës së re të profesioneve në treg. Kështu sipas studimit të Coding Dojo, punët që qëndrojnë në krye të listës  në këtë orientim të ri post pandemik janë  ato që mbështeten në shkenca kompjuterike, zhvillim web-i. menaxhim produkti, analizë të dhënash apo siguria kibernetike.

Një panel me ekspertë të Dhomës Amerikane, përfaqësues të kompanive që operojnë në sektorin e edukimit, zhvillimeve dixhitale e novatore, kanë zhvilluar një diskutim me z. Wang mbi mënyrën se si tregu shqiptar dhe ai rajonal i përjeton ndryshimet dhe cilat janë sfidat me të cilat përballet.

“Mendo globalisht dhe puno lokalisht” – është moto me të cilën Linda Shomo, CEO e Easy Pay dhe nënkryetare e Komitetit të Biznesit Digital në AmCham, ka kujtuar se zhvillimet globale duhet të na tregojnë se si të adaptohemi duke i kushtuar rëndësinë e duhur legjislacionit mbi zhvillimet dixhitale dhe trajnimit  të fuqisë punëtore. Përfaqësuesi i Holberton School Grant Van Cleve, shpjegoi se programet e shkollës së tij po përpiqen të krijojnë një gjeneratë të rinjsh që do ti përshtasin aftësitë e tyre për tregun duke marrë njohuritë e duhura pikërisht në fushat e kodimit dhe teknologjisë së informacionit. Kjo temë diskutimi ka ngacmuar edhe Managing Partner Central Europe South për z.Olindo Shehu i cili ishte i mendimit se ndoshta 100 mijë kodues mund të mos jenë  brenda vëndit, por përgatitja e legjislacioni të duhur do ta bëjë tregun interesant edhe për kodues nga vendet e tjera . “Ne sot nuk kemi nevojë vetëm për njerëz që proçesojnë të dhëna por për njerëz që na tregojnë një histori pas këtyre të dhënave dhe i ndihmojnë drejtuesit të ndërtojnë një strategji”- u shpreh z.Shehu në lidhje me diskutimin mbi zhvillimin e forcave të punës.

Takimi pati emëruesin e përbashkët të gjithë pjesmarrësve se është e rëndësishme që të gjithë aktorët sot në treg të koordinohen për të mundësuar pikërisht riaftësimin dhe trajnimin e forcës së aftë për punë duke e përgatitur për sfidat e reja në tregun e punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *