Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço diskutoi në Forumin Ekonomik të Tiranës me Anëtarin e Lartë të Atlantic Council (Këshillit të Atlantikut), Damir Marusic mbi “Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri në Administratën Biden”.
Ai tha se pas dy projekteve strategjike të Skavicës dhe TEC-it të Vlorës, investimet amerikane mund të behen afatgjata dhe dominuese nëse adresohen reformat e duhura.
Ai deklaroi se mbrojtja, çështjet e sigurisë, demokracia dhe biznesi vijojnë të jenë tre prioritetet kryesore në fokus të Shtëpisë së Bardhë përsa i përket politikave në vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë dhe Shqipërinë.
Duke u ndalur konkretisht tek prioriteti i administratës Biden për çështjet e biznesit me fokus Shqipërinë, Jaço tha: “Ky është një prioritet i ri dhe synon një lidhje më të fortë tregtare ShBA-Shqipëri, më shumë investime amerikane, më shumë tregti, etj. Kjo është optimiste sepse kurrë më parë nuk është ngritur në një nivel kaq të lartë të politikave. Dhe ka pasur rezultate të forta në një periudhë afatshkurtër. Vitin e kaluar Shqipëria dhe ShBA nënshkruan Marreveshjen me te rendesishme Ekonomike pas 90s, i cili përfshin ndërtimin e një projekti të madh hidroenergjitik. Dhe ditet e fundit kemi dhe finalizimin e një marrëveshje me ExxonMobile për ndërtimin e një termocentrali ne Vlore per LNG (gazin e lëngshëm natyror)”.
Duke e cilësuar këtë zhvillim si ndër më të rëndësishmit në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, Jaço vuri theksin tek Klima e Biznesit.
“Klima e biznesit në Shqipëri ka nevojë për përmirësim dhe përparimi i bërë me këto investime do të jetë jetëshkurtër nëse Shqipëria nuk adreson korrupsionin. Kjo çështje është e lidhur me demokracinë dhe sundimin e ligjit, që janë pjesë themelore e prioriteteve të politikës Amerikanë në Shqiperi. Përparimi në këtë drejtim do të përcaktojë suksesin afatgjatë të agjendës së biznesit dhe të vetë prioriteteve”.
Damir Marusic: Cilat janë, sipas mendimit tuaj, prioritetet kryesore të Shqipërisë në lidhje me Administratën Biden?
Enio Jaço: Synimi kryesor për administratat e ShBA-së ka qenë përparimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Megjithë pengesat dhe vonesat, pritshmëritë janë që BE-ja do të fillojë hapjet e negociatave gjatë këtij viti.
Por, përtej anëtarësimit në BE, ShBA ka pasur tre prioritete kryesore në Shqipëri, të cilat mendoj se ka mundësi që të jenë të vazhdueshme. Ato janë: mbrojtja, demokracia dhe biznesi. Unë nuk jam një ekspert i fushës së mbrojtjes dhe do t’i lë të tjerët të flasin për këtë, por mendoj se marrëdhënia po shkon shumë mirë.
Demokracia dhe biznesi janë më interesante për mendimin tim. Reforma në Drejtësi ka qenë një shqetësim i madh përsa i përket demokracisë. Ajo është diçka shumë e rëndësishme në Shqipëri dhe mendoj se ka pasur një reformë thelbësore strukturore, por ndoshta jo aq sa një njeri i thjeshtë të shohë përparim të dukshem. ShBA dhe BE janë të dy të investuar plotësisht në këtë reformë dhe vitet e ardhshme jam i bindur që do shohim progres.
Por, për sa i përket demokracisë, kushtet e përmirësuara për mbajtjen e zgjedhjeve dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit kanë qenë çështje themelore. Këto janë të gjitha prioritete kyçe dhe ka ende shumë punë për të bëre.
Damir Marusic: Një nga çështjet që shqetëson Uashingtonin është krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ambasadorja Yuri Kim këtë javë u kërkoi partive politike të adresojnë këtë problem. Mendoni se do ketë progres në këtë drejtim?
Është një çështje me shumë rëndësi. Ne jemi të prirur të jemi optimist. Në Dhomën Amerikane e kemi diskutuar gjerësisht këtë. Njerëzit në Shqipëri janë lodhur dhe kërkojnë rezultate konkrete. Në komunikimet tona me qeverinë kemi arritur në pikën e dakordësimit të këtyre problemeve dhe tashmë bashkë jemi duke biseduar për zgjidhje.
Korrupsioni në Shqipëri është shqetësues, është bërë pothuajse normal, paksa si mënyrë jetese dhe ne presim veprime konkrete në këtë drejtim. Një nga arsyet pse jemi pozitiv është fakti se kryeministri Rama vitet e fundit ka kërkuar mbështetjen e SHBA në këtë drejtim dhe ka pasur shumë progres në këtë drejtim. USAID ka ngritur tashmë USATA-n, Akademinë e Transparencës. Ky është një fillim i mbarë, shumë i rëndësishëm por nuk ka për të qenë e thjeshtë, mendoj që gjithashtu do ketë rezistencë.
Damir Marusic: Kryeministri Rama ka qenë një aktor kryesor në avancimin e të ashtuquajturit propozim Mini-Shengen për rajonin — një iniciativë që nuk synon të zëvendësojë integrimin përfundimtar me Perëndimin e gjerë gjeopolitik, por si një iniciativë e denjë për të arritur progres domethënës për njerëzit ndërsa zhvillohet procesi më i madh.
A mendoni se do të shohim progres përgjatë këtyre linjave?
Enio Jaço: Koncepti i Mini-Shengenit është një ide shumë e mire. Propozimi u përqafua me entuziazëm nga shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor në atë kohë, përveç Kosovës. Por nuk dëgjoni shumë këto ditë për të, mendoj për dy arsye: Së pari, ka një aspekt politik: Kosova nuk ishte aq entuziaste sa pjesa tjetër. Dhe mendoj se do të ishte mirë nëse të gjithë vendet janë të përfshirë. Dhe, së dyti, Mini-Shengeni ishte relativisht ambicioz dhe kërkonte shumë punë të vështirë teknike në drejtim të hartimit të marrëveshjeve të përbashkëta të tregtisë dhe politikave doganore që sjellin përfitime reale për njerëzit midis të gjithë nënshkruesve. Kjo ne fakt nuk ka ndodhur.
Pra mund të mos shohim shumë progres në këtë çështje nëse nuk ka një vullnet të fortë rajonal që të gjitha vendet e rajonit të jenë dakort ose nëse ShBA ose Evropa, ose të dyja bashkë, të përfshihen fort për ta realizuar atë.
Damir Marusic: Përtej hapjes së tregtisë rajonale, cilat janë mundësitë e tjera më lehtësisht të arritshme për rajonin?
Mendoj që ka tre mundësi të menjëhershme këtu. Së pari, është ‘Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor’. Ky është një plan investimi prej 9 miliardë eurosh nga nisma e Komisionit Evropian që kërkon një plan investimi për energjinë e gjelbër, tranzicionin digjital dhe infrastrukturën, e shpallur tetorin e kaluar. Kjo është mundësi e madhe për të gjithë. Por vendet që do bëjnë më shumë përparim në reformat e rekomanduara nga BE do të përfitojnë më shumë nga plani. Kështu që kjo është një mundësi reale dhe mendoj se është e thjeshtë për ta kuptuar. Por kjo do të kërkojë angazhim për reformat për të parë një progres më të shpejtë drejt BE-së.
Energjia e gjelbër është diçka që do të jetë çështje e rëndësishme edhe për Administratën Biden. Dhe ne shohim disa mundësi reale për digjiitalizimin dhe infrastrukturën për Shqipërinë.
Së dyti, dy projektet e energjisë në Shqipëri, hidrocentrali me Bechtel dhe termocentrali me ExxonMobile janë mundësi të mëdha për të siguruar pavarësinë energjitike dhe për ta kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të prodhimit të energjisë.
Por përtej kësaj mendoj se ekziston një koncept tjetër, i ngjashëm me Mini-Shengen ideja e Investimeve Rajonale. Vendet individuale të Ballkanit Perëndimor janë shumë të vogla për të tërhequr investime të huaja me përmasa të mëdha. Sigurisht që Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Bosnja madje edhe Serbia nuk janë aq vende të mëdha. Por nëse ekziston një nivel i caktuar i marrëveshjes midis të gjashtë vendeve – dhe disa standardeve të vendosura midis të gjithë vendeve – rajoni mund të jetë më tërheqës për investitorët e huaj të mesëm dhe të mëdhenj. Investitorët mund të vendosin zyrat e tyre në një nga vendet e rajonit, por ato mund të mbulojnë të gjithë rajonin. Mund të jenë edhe investitorë amerikanë mes tyre. Nëse rajoni angazhohet të bëjë reforma dhe të kalojë përmes procesit të pranimit në BE, atëherë patjetër që vendet e rajonit do të përfitojnë nga norma më e lartë e rritjes ekonomike.