• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Qëndrim i përbashket i organizatave të komunitetit të biznesit në Shqipëri mbi projektligjin “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”

Qëndrim i përbashket i organizatave të komunitetit të biznesit në Shqipëri mbi projektligjin “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”

AmCham Albania
Blogu, Publikimet, Slaidet
11 September 2026
Gerta

Organizatat e komunitetit të biznesit në Shqipëri vlerësojnë rëndësinë e një dialogu institucional të strukturuar ndërmjet sipërmarrjes dhe institucioneve publike, si dhe çdo përpjekje që synon përmirësimin e përfaqësimit, shërbimeve dhe mbështetjes ndaj biznesit. Në këtë frymë, kemi shqyrtuar versionin e ripropozuar të Projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”, të publikuar për konsultim publik më 14 gusht 2026, si dhe relacionin shpjegues që e shoqëron atë.

Pavarësisht rishikimit të draftit dhe ndryshimeve të reflektuara në versionin e fundit të projektligjit, vlerësojmë se shqetësimet kryesore të ngritura nga komuniteti i biznesit mbeten ende aktuale. Në veçanti, vijojnë të kërkojnë adresim disa çështje thelbësore që lidhen me modelin e anëtarësimit të detyrueshëm, përmbajtjen dhe vlerën konkrete të shërbimeve që do t’u ofrohen bizneseve, si dhe nevojën për një analizë të plotë dhe të argumentuar që justifikon domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e reformës së propozuar.

1. Anëtarësimi i detyrueshëm dhe liria e sipërmarrjes dhe e organizimit

Projektligji vijon të parashikojë se çdo subjekt tregtar me status aktiv në Regjistrin Tregtar bëhet anëtar i Dhomës Ekonomike Kombëtare “ipso lege”. Përjashtimet e parashikuara nga neni 11 lidhen kryesisht me kategori subjektesh të cilat, për shkak të natyrës së veprimtarisë së tyre, i nënshtrohen detyrimit për regjistrim apo anëtarësim në dhoma ose organizata profesionale të krijuara me ligj të posaçëm. Për rrjedhojë, këto përjashtime nuk ndryshojnë parimin themelor mbi të cilin ndërtohet sistemi i propozuar: anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomën Ekonomike Kombëtare për subjektet tregtare që përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit.

Ne vlerësojmë se ky model duhet të rishikohet nga këndvështrimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe lirisë së organizimit. Përfaqësimi i biznesit funksionon në mënyrë efektive kur ndërtohet mbi besimin, zgjedhjen dhe vlerën që organizata përkatëse u ofron anëtarëve të saj. Çdo biznes duhet të ketë lirinë të vendosë nëse dëshiron të anëtarësohet në një dhomë biznesi dhe, nëse po, në cilën organizatë dëshiron të përfaqësohet, në varësi të interesave, sektorit, profilit dhe nevojave të tij.

Ekzistenca e organizatave vullnetare të biznesit, përfshirë dhomat bilaterale dhe multilaterale, shoqatat sektoriale, organizatat e investitorëve dhe organizatat e tjera përfaqësuese, është pjesë e pluralizmit të përfaqësimit të sipërmarrjes. Këto organizata janë krijuar mbi bazën e anëtarësimit vullnetar dhe legjitimiteti i tyre buron nga zgjedhja e vetë anëtarëve. Për këtë arsye, krijimi me ligj i një strukture kombëtare me anëtarësi automatike nuk duhet të zëvendësojë, dobësojë apo kushtëzojë rolin e tyre, të cenojë autonominë e organizatave ekzistuese apo të kufizojë krijimin dhe funksionimin e organizatave të reja vullnetare. Po kështu, anëtarësimi i parashikuar me ligj nuk mund t’i japë DHEK një monopol apo status të privilegjuar në përfaqësimin e sipërmarrjes dhe në dialogun me institucionet. Shteti mund të krijojë me ligj një institucion dhe t’i delegojë atij funksione publike; mandatin për të përfaqësuar biznesin mund t’ia japë vetëm vetë biznesi.

2. Shërbimet ndaj anëtarëve dhe raporti ndërmjet detyrimit financiar dhe përfitimit konkret dhe vullnetit të lirë për të marrë shërbimet

Versioni i rishikuar i projektligjit parashikon një gamë më të gjerë funksionesh dhe shërbimesh për DHEK, duke përfshirë këshillimin e biznesit, trajnimet, anketa dhe analiza, mbështetjen për regjistrime, certifikatat e origjinës, Carnet ATA/TIR, rolin në integrimin evropian të sipërmarrjes, promovimin e eksporteve dhe investimeve, si dhe funksione të tjera publike të deleguara.

Ky zgjerim është një zhvillim që duhet të merret në konsideratë. Përcaktimi i shërbimeve dhe i kundërvlerës së tarifës nuk zgjidh, në vetvete, çështjen parimore të anëtarësimit të detyrueshëm. Një detyrim financiar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm për financimin e detyrueshëm të një strukture përfaqësuese që biznesi nuk ka zgjedhur.

Kjo çështje bëhet veçanërisht e rëndësishme pasi projektligji lidh shprehimisht tarifën vjetore të regjistrimit me përfitimin e shërbimeve dhe funksioneve publike të deleguara. Për të garantuar proporcionalitet, transparencë dhe një marrëdhënie reale vlerë-për-kontribut, ligji duhet të përcaktojë qartë se cilat shërbime bazë përfshihen në tarifën vjetore dhe u garantohen të gjithë anëtarëve, pavarësisht madhësisë, sektorit apo vendndodhjes së tyre.

Për këtë qëllim, rekomandojmë që projektligji të përmbajë ose të mandatojë në mënyrë të qartë një listë minimale të shërbimeve bazë të garantuara, ku për secilin shërbim të përcaktohen të paktën natyra e shërbimit, kategoria e përfituesve, nëse përfshihet ose jo në tarifën vjetore, standardi minimal i ofrimit dhe mënyra e aksesimit.

Në këtë kuadër, sugjerojmë gjithashtu të qartësohet raporti ndërmjet tarifës vjetore të regjistrimit, tarifave të veçanta për shërbime dhe financimit publik të funksioneve të deleguara, me qëllim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë për bizneset.

Për qartësi dhe siguri juridike, sugjerojmë gjithashtu të qartësohet raporti ndërmjet anëtarësimit “ipso lege” sipas nenit 11 dhe regjistrimit pranë DHEK sipas nenit 12, si dhe natyra e “tarifës vjetore të regjistrimit” që lidhet me këtë të fundit.

Gjithashtu, duke qenë se mospagimi i tarifës vjetore të regjistrimit parashikohet si kundërvajtje administrative, sugjerojmë që regjimi i përgjegjësisë dhe elementet thelbësore të sanksionit të përcaktohen në mënyrë të qartë në vetë kuadrin ligjor, në funksion të sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë për subjektet.

Në të kundërt, krijohet rreziku që tarifa e anëtarësimit të perceptohet si një detyrim formal dhe jo si kundërvlerë për një paketë të identifikueshme shërbimesh, duke dobësuar vetë legjitimitetin dhe funksionalitetin e strukturës së re.

3. Nevoja për një analizë të plotë të sistemit ekzistues dhe për një reformë të bazuar në evidencë

Relacioni shpjegues i versionit të ripunuar identifikon si problematika “fragmentarizimin e sistemit ekzistues të dhomave”, mungesën e një strukture të centralizuar koordinuese në nivel kombëtar dhe nevojën për rritjen e kapaciteteve institucionale. Një ndryshim kaq rrënjësor i modelit të përfaqësimit të biznesit nuk duhet të mbështetet mbi prezumimin se sistemi ekzistues është i papërshtatshëm. Nevoja për ndërhyrjen dhe, veçanërisht, për elementet e saj detyruese duhet të provohet mbi bazën e të dhënave, nevojave reale të biznesit dhe alternativave të analizuara.

Kjo merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se projektligji e lidh shprehimisht tarifën vjetore të regjistrimit me përfitimin e shërbimeve dhe funksioneve publike të deleguara. Për të garantuar proporcionalitetin, transparencën dhe një marrëdhënie reale ndërmjet kontributit dhe vlerës së marrë, ligji duhet të përcaktojë qartë cilat shërbime bazë përfshihen në tarifën vjetore, cilat u garantohen bizneseve dhe cilat prej tyre kërkohen e përfitohen sipas zgjedhjes së vetë biznesit. Parashikimi i një shërbimi nuk mund të përdoret, në vetvete, për të justifikuar detyrimin e çdo biznesi për ta marrë dhe financuar atë, pavarësisht nëse ka nevojë apo dëshiron ta përdorë.

Në këtë kuadër, vlerësojmë të domosdoshme kryerjen dhe publikimin e një analize të plotë të sistemit aktual të dhomave dhe përfaqësimit të biznesit, e cila të vlerësojë performancën dhe shërbimet e strukturave ekzistuese, nivelin e përdorimit të tyre nga bizneset, problematikat konkrete të konstatuara dhe shkaqet e tyre, si dhe nevojat reale të sipërmarrjeve sipas madhësisë, sektorit dhe rajonit.

Analiza duhet gjithashtu të shqyrtojë alternativat e mundshme të reformës, përfshirë përmirësimin e modelit ekzistues pa vendosur anëtarësim të detyrueshëm, kostot e ngritjes dhe funksionimit të sistemit të ri, burimet e financimit, raportin kosto-përfitim për bizneset dhe ndikimin e modelit të propozuar mbi organizatat ekzistuese vullnetare dhe pluralizmin e përfaqësimit.

Në mungesë të një analize të tillë, nuk mund të merret si e mirëqenë se “fragmentarizimi” i evidentuar në relacion përbën një problem që kërkon domosdoshmërish centralizim institucional, anëtarësim të detyrueshëm dhe financim të detyrueshëm nga biznesi. Duhet të provohet se objektivat e synuara nuk mund të arrihen përmes masave më pak kufizuese dhe më proporcionale.

Po ashtu, vlerësimi financiar duhet të pasqyrojë të gjithë periudhën e mbështetjes buxhetore të parashikuar nga projektligji. Relacioni i referohet një kostoje paraprake prej rreth 15.4 milionë lekësh për një periudhë tranzitore njëvjeçare, ndërsa projektligji parashikon mbështetje nga buxheti i shtetit deri në dy vjet. Përpara se financimi i strukturës t’i kalojë biznesit përmes një tarife të detyrueshme, duhet të jetë e qartë sa kushton realisht sistemi i ri, çfarë do të financojë biznesi dhe çfarë vlere konkrete do të marrë në këmbim.

4. Koherenca me procesin e integrimit evropian dhe nevoja për një justifikim më të fortë të reformës

Shqipëria ndodhet në një fazë intensive të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, ku një pjesë e konsiderueshme e reformave ligjore dhe institucionale lidhen me përafrimin e legjislacionit, forcimin e ekonomisë së tregut, konkurrueshmërisë dhe institucioneve që mbështesin sipërmarrjen.

Relacioni shpjegues sqaron shprehimisht se ky projektligj nuk synon përafrimin e drejtpërdrejtë me një akt specifik të acquis communautaire dhe nuk përbën masë transpozimi. Kjo, në vetvete, nuk e bën të pajustifikuar një reformë kombëtare. Megjithatë, pikërisht për shkak se ndryshimi i propozuar nuk buron nga një detyrim specifik i acquis dhe sjell një riorganizim të thellë të sistemit të përfaqësimit të biznesit, nevoja për një justifikim të plotë, të bazuar në evidencë dhe në analizën e alternativave bëhet edhe më e rëndësishme.

Në këtë kontekst, relacioni duhet të shpjegojë më qartë se cilat objektiva konkrete të procesit të integrimit dhe të zhvillimit të ekonomisë së tregut mbështet modeli i propozuar; pse këto objektiva kërkojnë pikërisht një ent publik me anëtarësim ipso lege; çfarë modelesh alternative janë shqyrtuar; dhe si është vlerësuar proporcionaliteti i ndërhyrjes në raport me lirinë e sipërmarrjes dhe të organizimit.

Një referim i përgjithshëm ndaj parimeve të ekonomisë së tregut, dialogut institucional dhe integrimit evropian nuk duhet të zëvendësojë analizën konkrete që legjitimon zgjedhjen e modelit institucional. Për një reformë të kësaj rëndësie, lidhja ndërmjet problemit të identifikuar, zgjidhjes së propozuar dhe rezultatit të pritshëm duhet të jetë e qartë, e matshme dhe e verifikueshme.

5. Shmangia e paralelizmit institucional dhe përcaktimi i qartë i funksioneve publike të deleguara

Një tjetër çështje që kërkon vëmendje është përcaktimi i qartë i kufijve ndërmjet funksioneve dhe shërbimeve që i ngarkohen Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe kompetencave që ushtrohen aktualisht nga institucionet publike. Projektligji i ngarkon Dhomës një sërë funksionesh dhe shërbimesh publike të deleguara dhe parashikon bashkëveprimin e saj me Qendrën Kombëtare të Biznesit, përfshirë në procese që lidhen me regjistrimin dhe administrimin e të dhënave të biznesit. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që ndarja e kompetencave të jetë e përcaktuar qartë, në mënyrë që të shmangen mbivendosjet institucionale, procedurat paralele apo krijimi i barrëve administrative shtesë për biznesin.

Projektligji parashikon tashmë një listë funksionesh publike të deleguara dhe mekanizma bashkëveprimi me Qendrën Kombëtare të Biznesit. Megjithatë, për çdo funksion të deleguar duhet të jetë e qartë baza ligjore, ndarja e përgjegjësive, institucioni përgjegjës përfundimtar, standardi i shërbimit, mekanizmi i ankimit dhe mënyra e financimit. Delegimi i funksioneve publike duhet të synojë thjeshtimin e marrëdhënies së biznesit me administratën dhe jo krijimin e një niveli të ri ndërmjetësimi institucional.

Në veçanti, sugjerojmë të qartësohet më tej ndarja e roleve ndërmjet DHEK dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit për proceset që lidhen me regjistrimin, klasifikimin dhe administrimin e të dhënave të biznesit, duke përcaktuar qartë institucionin që ushtron kompetencën vendimmarrëse dhe mban përgjegjësinë përfundimtare, me qëllim shmangien e procedurave paralele ose të detyrimeve shtesë për biznesin.

Në funksion të sigurisë juridike, sugjerojmë gjithashtu harmonizimin e nenit 8, i cili parashikon mundësinë e delegimit të kompetencave publike edhe me marrëveshje, me nenin 9, i cili i referohet delegimit shprehimisht me ligj. Në veçanti, për funksionet që përfshijnë ushtrimin e autoritetit publik, baza, kufijtë dhe përgjegjësitë përkatëse duhet të rezultojnë qartë nga kuadri ligjor.

Në të njëjtën frymë, do të ishte e dobishme të diferencohen qartë funksionet përfaqësuese dhe vetërregulluese të DHEK nga funksionet administrative publike të deleguara, përfshirë regjimin e mbikëqyrjes, përgjegjësisë dhe financimit që zbatohet për secilën kategori.

Në lidhje me periudhën tranzitore, duke vlerësuar nevojën për të garantuar një kalim të rregullt drejt sistemit të ri, sugjerojmë që kufizimet mbi veprimtarinë e dhomave ekzistuese dhe rastet që kërkojnë miratim paraprak të Komisionit të Përkohshëm Teknik të përcaktohen dhe zbatohen vetëm në masën e nevojshme për administrimin e tranzicionit, pa penguar ushtrimin normal të veprimtarisë së tyre deri në përfundimin e mandateve ekzistuese.

Përfundime dhe rekomandime

Duke njohur ndryshimet dhe përmirësimet e bëra në versionin e gushtit 2026, organizatat e komunitetit të biznesit vlerësojnë se çështjet themelore të ngritura në qëndrimin e përbashkët të mëparshëm nuk janë zgjidhur plotësisht. Në veçanti, modeli i anëtarësimit të detyrueshëm mbetet elementi kryesor që kërkon rishikim.

Ne rekomandojmë që procesi i konsultimit të përdoret për të rivlerësuar modelin në tërësi për të garantuar:

·  lirinë reale të bizneseve për të zgjedhur mënyrën dhe organizatën përmes së cilës dëshirojnë të përfaqësohen;

· mbrojtjen e autonomisë dhe pluralizmit të organizatave ekzistuese dhe të ardhshme vullnetare të biznesit;

·  një listë konkrete dhe të garantuar të shërbimeve bazë që financohen nga tarifa vjetore;

·  një analizë të plotë dhe të publikuar të sistemit aktual, alternativave të reformës dhe ndikimit ekonomik e institucional të modelit të propozuar;

·  një argumentim më të qartë të koherencës së reformës me objektivat e integrimit evropian dhe me parimet e ekonomisë së tregut, lirisë së sipërmarrjes, proporcionalitetit dhe lirisë së organizimit;

·  ndarje të qartë të funksioneve të deleguara dhe shmangien e mbivendosjeve me institucionet publike ekzistuese.

Konsultimi me komunitetin e biznesit duhet të shërbejë për të përcaktuar modelin e reformës dhe jo vetëm për të përmirësuar teknikisht një model të paracaktuar.

Mbetemi të angazhuar për një dialog konstruktiv dhe në dispozicion për të kontribuar më tej në përmirësimin e projektligjit.

Organizatat nënshkruese të qëndrimit të përbashkët:

  1. Dhoma Amerikane e Tregtisë (AMCHAM)
  2. Dhoma Gjermane e Tregtisë në Shqipëri (DIHA)
  3. Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri (CCIA)
  4. Dhoma Britanike e Tregtisë në Shqipëri (BCCA)
  5. Dhoma e Tregtisë Zvicër-Shqipëri (SWISSA)
  6. Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri
  7. Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA)
  8. Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB)
  9. Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA)
  10. Shoqata Shqiptare e Energjive të Rinovueshme (AREA)
  11. Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” (BTSH)
  12. Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit (AITA)
  13. Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë
  14. Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit (SH.SJ.P.FI)
  15. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Japoni (AJCCI)
  16. Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike (AECA)
  17. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri (CCIFA)

You may also like