• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Komentet e Dhomës Amerikane për Projektligjin “Për Shërbimet Digjitale në Republikën e Shqipërisë”

Komentet e Dhomës Amerikane për Projektligjin “Për Shërbimet Digjitale në Republikën e Shqipërisë”

a person holding a tablet in a store
Blogu, Publikimet, Slaidet
10 September 2026
Gerta

I. Hyrje

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham Albania) mbështet përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis të Bashkimit Evropian dhe vlerëson rëndësinë e krijimit të një kuadri modern rregullator që garanton një mjedis digjital më të sigurt, më transparent dhe më të besueshëm për qytetarët dhe bizneset. Në këtë kontekst, përafrimi me Rregulloren (BE) 2022/2065 për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA) përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Megjithatë, për shkak të natyrës së saj si rregullore e Bashkimit Evropian, DSA-ja funksionon mbi bazën e një arkitekture institucionale të integruar, e cila përfshin kompetenca të ndara ndërmjet Komisionit Evropian, Bordit Evropian për Shërbimet Digjitale, Koordinatorëve të Shërbimeve Digjitale dhe mekanizmave të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet shteteve anëtare. Për këtë arsye, përafrimi i saj në një shtet kandidat kërkon jo vetëm përshtatjen e dispozitave materiale, por edhe një analizë të kujdesshme të mënyrës se si këto mekanizma mund të integrohen në kuadrin institucional dhe juridik kombëtar.

Komentet dhe rekomandimet e paraqitura në vijim synojnë të kontribuojnë në forcimin e projektligjit dhe në krijimin e një kuadri ligjor të qartë, të zbatueshëm dhe në përputhje me objektivat dhe parimet themelore të Digital Services Act.

II. Relacioni shoqërues dhe metodologjia e hartimit të projektligjit

AmCham Albania vlerëson se Relacioni shoqërues i projektligjit duhet të rishikohet dhe plotësohet, me qëllim që të ofrojë një bazë më të plotë analitike dhe metodologjike për ndërhyrjen ligjore të propozuar. Në formën aktuale, Relacioni përshkruan kryesisht përmbajtjen e projektligjit dhe objektivat e përgjithshme të tij, por nuk argumenton në mënyrë të mjaftueshme arsyet që kanë çuar në zgjedhjen e modelit të propozuar, alternativat e shqyrtuara, ndikimin e pritshëm të ligjit apo kapacitetet e nevojshme për zbatimin e tij. 

2.1. Metodologjia e përafrimit me acquis të Bashkimit Evropian

AmCham Albania rekomandon që Relacioni të rishikohet në përputhje me metodologjinë kombëtare për përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian. Duke qenë se Digital Services Act është një rregullore e Bashkimit Evropian dhe jo një direktivë, përdorimi i termit “transpozim” nuk pasqyron natyrën juridike të procesit të përafrimit. Në këtë kuadër, Relacioni duhet të sqarojë qartë metodën e ndjekur për harmonizimin e projektligjit, të argumentojë zgjedhjet e bëra gjatë përshtatjes së dispozitave të DSA-së dhe të klasifikojë nivelin e përafrimit sipas kategorive të parashikuara në Manualin për Hartimin e Legjislacionit dhe dokumentet metodologjike për integrimin evropian. Po kështu, deklarimi i një “niveli të lartë përafrimi” duhet të mbështetet në një analizë objektive, të shoqëruar me tabelën përkatëse të përputhshmërisë dhe arsyetimin e çdo devijimi nga acquis. 

2.2. Analiza e ndikimit rregullator

AmCham Albania konsideron se Relacioni duhet të përfshijë një analizë më të plotë të ndikimit rregullator, duke vlerësuar jo vetëm aspektet juridike, por edhe ndikimin ekonomik, financiar, institucional dhe administrativ të projektligjit. Në veçanti, mungon një analizë e kostove të zbatimit, e ndikimit mbi biznesin dhe konkurrueshmërinë, e nevojave për burime njerëzore dhe financiare, si dhe e ndikimit të mundshëm mbi të drejtat dhe liritë themelore. Gjithashtu, deklarimi se projektligji nuk sjell efekte financiare nuk duket të jetë i harmonizuar me nevojat konkrete për ngritjen e kapaciteteve institucionale të parashikuara në vetë Relacionin. 

2.3. Analiza e boshllëkut ligjor dhe konsistenca e Relacionit

AmCham Albania rekomandon që Relacioni të shoqërohet me analizën e plotë të boshllëkut ligjor dhe me një shpjegim të qartë të mënyrës se si gjetjet e saj janë reflektuar në projektligj. Gjithashtu, është e nevojshme të sigurohet përputhshmëri ndërmjet konkluzioneve të Relacionit dhe dispozitave konkrete të projektligjit, veçanërisht në rastet kur Relacioni deklaron se kompetenca të caktuara të institucioneve të Bashkimit Evropian nuk janë përafruar, ndërkohë që projektligji u atribuon autoriteteve shqiptare funksione të ngjashme. 

2.4. Kapacitetet institucionale dhe zbatueshmëria

Duke pasur parasysh kompleksitetin e mekanizmave të parashikuar nga projektligji, AmCham Albania vlerëson se Relacioni duhet të përmbajë një analizë më të detajuar të kapaciteteve institucionale dhe administrative të nevojshme për zbatimin efektiv të ligjit. Një analizë e tillë duhet të adresojë, ndër të tjera, strukturat organizative, burimet njerëzore, ekspertizën teknike, infrastrukturën, kostot e zbatimit dhe mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional, në mënyrë që të vlerësohet realizueshmëria praktike e kompetencave që projektligji u atribuon autoriteteve përgjegjëse. 

2.5. Konsultimi publik dhe dokumentimi i procesit

AmCham Albania inkurajon një dokumentim më të plotë të procesit të konsultimit publik, duke evidentuar kategoritë e palëve të interesit të përfshira, kontributet e tyre dhe mënyrën se si këto janë reflektuar në tekstin e projektligjit. Po kështu, referencat ndaj konsultimeve teknike apo aktiviteteve mbështetëse duhet të shoqërohen me një paraqitje të qartë të rekomandimeve të marra dhe ndikimit konkret që ato kanë pasur në hartimin e projektligjit. 

2.6. Rekomandim

Në përfundim, AmCham Albania rekomandon që Relacioni të rishikohet dhe të plotësohet përpara miratimit të projektligjit, duke u shoqëruar me dokumentacionin mbështetës përkatës, përfshirë analizën e boshllëkut ligjor, tabelën e përputhshmërisë me acquis, raportin e vlerësimit të ndikimit rregullator, analizën e kapaciteteve institucionale, vlerësimin financiar, analizën e ndikimit mbi të drejtat themelore, raportin e konsultimit publik dhe planin e zbatimit. Kjo do të kontribuonte në një proces legjislativ më transparent, më të argumentuar dhe më të qëndrueshëm.

III. Kuadri institucional dhe përshtatja e modelit të Digital Services Act

Digital Services Act mbështetet në një arkitekturë institucionale të ndërtuar për tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian, ku një sërë kompetencash ushtrohen nga Komisioni Evropian, Bordi Evropian për Shërbimet Digjitale dhe autoritete të tjera të specializuara. Përshtatja e këtij modeli në kontekstin shqiptar kërkon një përcaktim të qartë të kompetencave, roleve dhe mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që kuadri i propozuar të jetë i zbatueshëm, koherent dhe të ofrojë siguri juridike. 

3.1. Përshtatja e kompetencave të institucioneve të Bashkimit Evropian

Një nga çështjet kryesore të evidentuara lidhet me mënyrën se si projektligji përshtat kompetencat që, sipas Digital Services Act, ushtrohen nga Komisioni Evropian dhe Bordi Evropian për Shërbimet Digjitale. Në disa raste, projektligji parashikon ushtrimin e funksioneve të ngjashme nga autoritete kombëtare, pa u shoqëruar me një analizë të mjaftueshme mbi bazën juridike, kufijtë e kompetencave dhe mekanizmat institucionalë që garantojnë ushtrimin efektiv të tyre. Kjo çështje reflektohet edhe në dispozita të veçanta të projektligjit, përfshirë ato që lidhen me Platformat Shumë të Mëdha Online (VLOPs), Motorët Shumë të Mëdhenj të Kërkimit Online (VLOSEs) dhe mekanizmin e reagimit ndaj krizave, të cilat mbështeten në mekanizma të zhvilluar në kuadër të arkitekturës institucionale të Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, projektligji do të përfitonte nga një arsyetim më i plotë mbi mënyrën se si këto mekanizma përshtaten dhe do të funksionojnë në kontekstin shqiptar. 

3.2. Roli dhe kompetencat e AKEP

Caktimi i AKEP-it si autoritet përgjegjës kërkon një analizë funksionale më të detajuar, e cila të vlerësojë jo vetëm përvojën e autoritetit në fushën e komunikimeve elektronike, por edhe përshtatshmërinë e tij për ushtrimin e kompetencave të reja që burojnë nga projektligji. Në veçanti, do të ishte e nevojshme një ndarje më e qartë ndërmjet rolit të AKEP-it si rregullator sipas ligjit për komunikimet elektronike dhe funksioneve të tij si Koordinator i Shërbimeve Digjitale, si dhe një përcaktim më i qartë i marrëdhënieve të tij me autoritetet e tjera kompetente. 

3.3. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe shmangia e mbivendosjes së kompetencave

Projektligji ndërvepron me një sërë autoritetesh dhe kuadrosh ligjorë ekzistues, përfshirë ato në fushën e komunikimeve elektronike, medias audiovizive, mbrojtjes së të dhënave personale, konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit. Për këtë arsye, kërkohet një përcaktim më i qartë i ndarjes së kompetencave dhe mekanizmave të koordinimit ndërinstitucional, me qëllim shmangien e mbivendosjeve, konflikteve të kompetencës dhe pasigurisë juridike gjatë zbatimit të ligjit. 

3.4. Marrëdhënia me ligjin nr. 54/2024 “Për Komunikimet Elektronike”

Projektligji duhet të sqarojë më tej raportin e tij me ligjin nr. 54/2024 “Për Komunikimet Elektronike”, duke ruajtur ndarjen funksionale ndërmjet rregullimit të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, nga njëra anë, dhe rregullimit të shërbimeve ndërmjetëse dhe detyrimeve të kujdesit sipas Digital Services Act, nga ana tjetër. Një harmonizim më i qartë ndërmjet këtyre dy kuadrove ligjorë do të reduktonte rrezikun e mbivendosjes së kompetencave dhe do të rriste sigurinë juridike për autoritetet zbatuese dhe subjektet e rregulluara. 

IV. Mbrojtja e të drejtave themelore dhe garancitë procedurale

Zbatimi efektiv i projektligjit kërkon që kompetencat e autoriteteve publike të shoqërohen me garanci të qarta procedurale dhe me respektimin e të drejtave themelore.

4.1. Urdhrat për heqjen e përmbajtjes

AmCham Albania vlerëson se dispozitat që rregullojnë urdhrat për heqjen e përmbajtjes kërkojnë sqarim të mëtejshëm për të garantuar siguri juridike dhe përputhshmëri me modelin e Digital Services Act. Në veçanti, projektligji duhet të përcaktojë qartë autoritetet kompetente për nxjerrjen e këtyre urdhrave, bazën ligjore mbi të cilën ato mbështeten, si dhe garancitë procedurale për subjektet e prekura. Gjithashtu, rekomandohet të sqarohet se urdhrat për heqjen e përmbajtjes mbështeten në legjislacionin material përkatës dhe nuk krijojnë kompetenca të reja materiale për autoritetet publike, duke garantuar njëkohësisht të drejtën për mjete efektive ankimi dhe kontroll gjyqësor.

4.2. Kompetencat hetimore dhe masat kufizuese

Projektligji i njeh autoriteteve kompetenca të rëndësishme hetimore dhe mbikëqyrëse, të cilat mund të ndikojnë në ushtrimin e të drejtave dhe interesave legjitime të subjekteve të rregulluara. Për këtë arsye, AmCham Albania rekomandon që të përcaktohen më qartë kushtet dhe kufijtë e ushtrimit të këtyre kompetencave, përfshirë aksesin në informacion, kërkesat për dokumentacion, inspektimet dhe çdo masë tjetër që prek privatësinë, sekretin profesional apo të dhënat konfidenciale. Dispozitat përkatëse duhet të shoqërohen me garanci të mjaftueshme procedurale, standarde të qarta proporcionaliteti dhe, kur është e nevojshme, me kontroll paraprak ose pasues nga autoriteti gjyqësor. 

4.3. Masat kufizuese ndaj ofruesve të shërbimeve

AmCham Albania konsideron se dispozitat që lejojnë vendosjen e masave kufizuese ndaj ofruesve të shërbimeve ndërmjetëse kërkojnë një formulim më të qartë lidhur me kushtet e zbatimit të tyre. Në veçanti, masat që mund të kufizojnë aksesin në një shërbim ose të ndikojnë ndjeshëm në ushtrimin e aktivitetit ekonomik duhet të parashikohen vetëm për raste të jashtëzakonshme, të mbështeten në kritere objektive dhe të zbatohen në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Projektligji do të përfitonte gjithashtu nga një sqarim më i qartë se masa të tilla përbëjnë mjetin e fundit, pasi të jenë shqyrtuar dhe rezultuar të pamjaftueshme alternativa më pak kufizuese, si dhe nga parashikimi i garancive efektive për kontroll gjyqësor.

V. Dispozita të veçanta të projektligjit

Përveç çështjeve që lidhen me metodologjinë e hartimit të projektligjit, kuadrin institucional dhe garancitë procedurale, një sërë dispozitash konkrete të projektligjit do të përfitonin nga rishikime të mëtejshme për të siguruar një zbatim më të qartë dhe më të qëndrueshëm të tij. Në veçanti, rekomandohet një rishikim i disa mekanizmave specifikë të parashikuar nga projektligji, me qëllim harmonizimin e tyre me logjikën e Digital Services Act dhe rritjen e sigurisë juridike për subjektet e rregulluara. 

5.1. Përkufizimet dhe fusha e zbatimit

Disa nga përkufizimet dhe dispozitat që përcaktojnë fushën e zbatimit të projektligjit do të përfitonin nga sqarime të mëtejshme për të garantuar një zbatim të qartë dhe të parashikueshëm të tyre. Në veçanti, do të ishte e dobishme të rishikohej formulimi i përkufizimit të “përmbajtjes së paligjshme”, me qëllim që të qartësohet se projektligji nuk përcakton në mënyrë të pavarur se çfarë përbën përmbajtje të paligjshme, por mbështetet në legjislacionin material përkatës. Gjithashtu, projektligji do të përfitonte nga një qartësim më i plotë i fushës së tij territoriale të zbatimit dhe i ushtrimit të kompetencave ndaj ofruesve të shërbimeve të vendosur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Një formulim më i qartë i këtyre dispozitave do të kontribuonte në rritjen e sigurisë juridike dhe në një zbatim më të qëndrueshëm të projektligjit.

5.2. Raportimi i dyshimeve për vepra penale

Dispozitat që lidhen me raportimin e dyshimeve për kryerjen e veprave penale kërkojnë një formulim më të qartë lidhur me kushtet e zbatimit të këtij detyrimi dhe raportin e tij me modelin e parashikuar në Digital Services Act. Një qartësim i mëtejshëm do të kontribuonte në shmangien e pasigurive interpretative dhe në garantimin e një zbatimi të parashikueshëm të dispozitave përkatëse. 

5.3. Mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe sinjalizuesit e besuar

Projektligji parashikon mekanizma të posaçëm për zgjidhjen jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve dhe për funksionimin e sinjalizuesve të besuar. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre mekanizmave për funksionimin e kuadrit të ri rregullator, dispozitat përkatëse do të përfitonin nga sqarime të mëtejshme mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të tyre, si dhe mbi garancitë që sigurojnë transparencë, paanshmëri dhe siguri juridike. 

5.4. Regjimi i sanksioneve dhe tarifës mbikëqyrëse

Projektligji parashikon një regjim sanksionesh dhe, për kategori të caktuara subjektesh, vendosjen e një tarife mbikëqyrëse. Në këtë drejtim, dispozitat përkatëse do të përfitonin nga një formulim më i qartë i kritereve për vendosjen e sanksioneve administrative, si dhe nga një arsyetim më i plotë mbi bazën ligjore, metodologjinë dhe proporcionalitetin e tarifës mbikëqyrëse. Një qasje e tillë do të rriste parashikueshmërinë e kuadrit rregullator dhe sigurinë juridike për subjektet e rregulluara. 

VI. Përfundime dhe rekomandime

AmCham Albania vlerëson se Projektligji “Për Shërbimet Digjitale në Republikën e Shqipërisë” përbën një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian dhe krijimit të një kuadri modern për rregullimin e shërbimeve digjitale. Njëkohësisht, shqyrtimi i projektligjit dhe i Relacionit shoqërues evidenton një sërë çështjesh që do të përfitonin nga rishikime dhe sqarime të mëtejshme përpara miratimit të tij. 

Në veçanti, rekomandohet:

  • rishikimi dhe plotësimi i Relacionit shoqërues me analizat dhe dokumentacionin mbështetës përkatës;
  • qartësimi i modelit institucional dhe i mënyrës së përshtatjes së kompetencave që burojnë nga Digital Services Act;
  • forcimi i garancive procedurale dhe i mbrojtjes së të drejtave themelore;
  • rishikimi i dispozitave të veçanta të identifikuara në këtë dokument, me qëllim rritjen e qartësisë, proporcionalitetit dhe zbatueshmërisë së tyre.

AmCham Albania mbetet e gatshme të kontribuojë në fazat e mëtejshme të procesit legjislativ dhe të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse për forcimin e një kuadri ligjor të qartë, të zbatueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane.

You may also like