Në kuadër të forcimit të kapaciteteve të biznesit dhe rritjes së qartësisë mbi procedurat tatimore, Dhoma Amerikane, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, zhvilloi një trajnim të detajuar mbi formularin e ri online për aplikimin e marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë. Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit Tatimor në DPT, Bledar Hamzallari, dhe Përgjegjësja e Sektorit të Tatimit të Dyfishtë, Kesilda Ajdini, u përqendruan në prezantimin e tyre në risitë që sjell ligji dhe, në mënyrë të veçantë, në mënyrën e plotësimit të formularëve online dhe veçoritë që duhet të kenë kujdes bizneset gjatë plotësimit të tyre.
Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania, Neritan Mullaj, theksoi rëndësinë e këtyre trajnimeve si një urë lidhëse midis institucioneve dhe komunitetit të biznesit. Ai nënvizoi se, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Dhoma Amerikane synon të krijojë një platformë të hapur komunikimi, ku bizneset mund të marrin udhëzime të drejtpërdrejta nga ekspertët përkatës.
Nga ana e saj, Alketa Uruçi, Kryetare e Komitetit të Taksave dhe Doganave, vuri në dukje se ndryshimet e fundit në procedurat e aplikimit përbëjnë një hap domethënës drejt digjitalizimit dhe modernizimit të shërbimeve tatimore. Megjithatë, ajo theksoi se çdo reformë e tillë kërkon një kuptim të plotë dhe interpretim të saktë, në mënyrë që bizneset të mund të përshtaten dhe ta zbatojnë atë në mënyrë korrekte.
Trajnimi ishte mjaft interesant dhe u shoqërua me shumë pyetje nga pjesëmarrësit, të cilët kërkuan informacion të detajuar mbi plotësimin e formularëve të rinj dhe dokumentacionin përkatës, për të përmbyllur një proces aplikimi të saktë dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi. Përfaqësuesit e DPT u angazhuan jo vetëm me përgjigjet gjatë trajnimit, por edhe për të ndjekur rast pas rasti çdo çështje që anëtarët e Dhomës Amerikane kanë me zbatimin e legjislacionit për tatimin e dyfishtë.
Një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat mbetet thelbësor për ndërtimin e një klime fiskale të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Ky trajnim përbën një shembull konkret të këtij bashkëpunimi dhe një mundësi të vlefshme për adresimin e çdo paqartësie që mund të lindë gjatë zbatimit të procedurave të reja.







