Dhoma Amerikane nderon anëtarët e parë
20 vjet anëtar i Dhomës Amerikane
20 vjet anëtar i AmCham Albania, është sigluar në emblemën simbolike që Dhoma Amerikane i ka dhuruar 20 anëtarëve të parë të saj dhe që vazhdojnë të jenë pjesë e Dhomës. Ceremonia që nderonte jo thjeshtë prezencën dhe bashkëpunimin e tyre 20 vjeçar, por dhe rrugëtim e organizatës, mblodhi anëtarët që mbushën 20 vjet, Bordin Drejtues si dhe Ministren Anila Denaj dhe Ministrin Eduard Shalsi.
Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e anëtarëve të parë që sot janë pjesë e historisë 20 vjeçare të organizatës, Presidenti Enio Jaço i ftoi të jenë po aq bashkëpunues dhe aktivë për të çuar përpara qëllimin për të cilin u bënë pjesë e Dhomës. Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Denaj ka vlerësuar format e drejtpërdrejta të komunikimit që Dhoma Amerikane ka me qeverinë dhe rekomandimet që sjell. Për të zhvilluar më tej këtë komunikim, qeveria ka krijuar Komitetin e Përbashkët me Dhomat e Tregtisë nga i cili pritet që qeveria të marrë impulse të forta të biznesit mbi politikat qeveritare.
Këtë e ka konfirmuar dhe z. Shalsi, i cili si Ministër i Sipërmarrjes ka qenë dhe mbetet një koordinator i fortë mes biznesit dhe qeverisë dhe punon për të zhvilluar ura komunikimi ku nuk transmetohen vetëm problematika, por dhe ide e propozime konkrete.